OSBE kërkon nga Kosova qasje të barabartë për komunitetet e cenueshme për banim social
Misioni i OSBE-së ka publikuar këtë të enjte raportin me temën “Vlerësimi i banimit social dhe ndërtimit të banesave sociale në Kosovë 2018 – 2023” që shqyrton situatën rreth banimit social në 34 komuna në Kosovë në gjashtë vitet e fundit. Raporti i OSBE-së tregon se komunat nuk kanë përmbushur gjithmonë detyrimet e tyre për […]
Misioni i OSBE-së ka publikuar këtë të enjte raportin me temën “Vlerësimi i banimit social dhe ndërtimit të banesave sociale në Kosovë 2018 – 2023” që shqyrton situatën rreth banimit social në 34 komuna në Kosovë në gjashtë vitet e fundit.
Raporti i OSBE-së tregon se komunat nuk kanë përmbushur gjithmonë detyrimet e tyre për vlerësimin e nevojave, përgatitjen e programeve dhe ndarjen e burimeve për banim social në mënyrë transparente.
Ky raport ka konstatuar se ka pasur mungesë të përgjithshme transparence në lidhje me historikun e aplikantëve/përfituesve dhe mungesë të të dhënave të ndara, gjegjësisht të kategorizuara sipas gjinisë ose sipas komuniteteve joshumicë, “e që është thelbësore për identifikimin e grupeve të cenueshme ose të pafavorizuara në nevojë për banim social”.
“Të dhëna të tjera të kategorizuara, siç janë ato për persona me aftësi të kufizuar, persona të zhvendosur ose viktima të dhunës në familje ose dhunës ndaj grave, përgjithësisht nuk janë përfshirë gjithashtu”, thuhet në raport.
Gjatë viteve 2018- 2023, sipas OSBE-së, gjetjet tregojnë gjithashtu se ndërtimi i banesave sociale ka pasur ndikim të madh nga palët e treta, kryesisht organizatat jofitimprurëse, duke rritur pyetje mbi efikasitetin e kësaj strategjie në adresimin e nevojave të banimit social në mënyrë të barabartë për të gjitha komunitetet.
Zyrtari i OSBE-së në Kosovë, Bilbil Kastrati, ka theksuar rëndësinë e përgjegjësisë dhe transparencës së institucioneve për fondet dhe proceset e përzgjedhjes për përfituesit.
“Ndërkohë që mbështetja për familjet në nevojë përmes ndërtimit të banesave private të banimit është e mirëseardhur dhe, në disa raste e nevojshme, ngre shqetësime nëse kjo është mënyra më e përshtatshme për adresimin e çështjes së banimit social që garanton trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”, ka thënë Kastrati, zyrtar ligjor në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Prandaj, raporti ynë rekomandon që institucionet duhet të jenë të përgjegjshme dhe transparente për fondet që i kanë marrë nga akterët joinstitucionalë dhe që kriteret e përzgjedhjes për përfituesit t’i përmbahen legjislacionit në fuqi”, ka shtuar Kastrati.
Raporti përfundon me rekomandime për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunat, për të forcuar sistemin e banimit social për të siguruar mundësi të barabarta të banimit për të gjitha komunitetet e pafavorizuara në Kosovë.















