Në ceremoninë e shënimit të 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konsideruar policinë si një hallkë të rëndësishme për vendin dhe një histori suksesi.

Ajo është shprehur mirënjohëse për përkushtimin e këtij institucioni përgjatë tërë këtyre viteve.

“Policia e shtetit tonë me të gjitha segmentet e saj, përbëjnë jo vetëm njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetit, por edhe njërën nga historitë më të suksesshme se si mund të themelojmë e të ngrisim institucione të qëndrueshme, besueshmëria e së cilave ka qenë vazhdimisht e lartë në mesin e qytetarëve tanë”, është shprehur Osmani.

Po ashtu, presidentja Osmani ka theksuar se “anëtarësimi në INTERPOL dhe organizata të tjera të kësaj fushe është i rëndësishëm për arritjen e qëllimeve”.

“Policia e Kosovës, krahas partnerëve të tjerë, është kujdesur që kufijtë e vendit tonë të mbrohen e të mbikqyren e të jenë pikat e mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe asnjëherë pengesë e qarkullimit të tyre. Kësisoj keni ndihmuar në ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës. Kosova është e vendosur që të zhvillojë gjithnjë e më shumë strukturat e policisë, të rrisë barazinë gjinore në të”, shtoi ajo.

Kurti: Integriteti moral dhe personal – shtylla të domosdoshme të policisë

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai gjatë fjalimit të tij ka thënë se integriteti moral dhe ai personal “janë shtyllat e domosdoshme brenda Policisë së Kosovës, që është shembull për profesionalizimin e saj”.

Sipas kreut të qeverisë, zyrtari policor, përveç përgjegjësisë që mban në supe çdo ditë të jetës së tij në detyrë dhe jashtë saj, e ka edhe peshën e misionit më fisnik që ndokush mund ta ketë, “sigurinë e vendit dhe jetës së qytetarëve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Liria dhe siguria janë qenësore, ju duhet të jeni garancia për to. Liria është e qytetarit dhe siguria është për qytetarin”, u shpreh ai.

I pari i ekzekutivit nuk la pa përmendur edhe rastin e dhunimit të 11-vjeçares nga pesë të dyshuar në Prishtinë.

Ai ka theksuar se dhuna ndaj vajzave dhe grave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies publike.

“Andaj nga ju pritet e kërkohet të jeni në nivelin më të lartë të detyrës suaj kudo, në çdo rrugë e në çdo cep të vendit. Mbani me përgjegjësi detyrat e juaja”, u është drejtuar Kurti pjesëtarëve të policisë.

“Javën që shkoi u ballafaquam me një rast të rëndë. Një vajzë e mitur, në vend se të ishte në bankat shkollore, ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga pesë dhunues. Puna dhe rezultatet e juaja të përditshme do t’i pengojnë krimit dhe atyre që e ushqejnë atë”, shtoi ai.

Po ashtu, Kurti ka kujtuar edhe të 21 policët e rënë në detyrë, në përpjekje të vendosjes së rendit dhe ligjit.

“Ata nuk u dorëzuan përballë asgjëje dhe ranë duke zbatuar misionin e përbashkët”.