Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së tij.
Në një deklaratë për media, presidentja Osmani ka thënë se Kosova do të vazhdojë të ruajë aleancat e ndërtuara nga Rugova, të cilin e quajti edhe “ati themeltar” i Republikës së Kosovës.
“Sot, në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, e përkujtojmë me mall njeriun i cili i dha zë kërkesave, të drejtave të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Natyrisht, që pikërisht trashëgimia që ai la pas do të na shërbejë si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pandalura që ta forcojmë shtetin tonë, shtetin që u ndërtua me aq shumë mund e sacrificë të shumë burrave e grave të Republikës së Kosovës. Prandaj, ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë të cilët e mbështetën Kosovën në ditët më të rënda e më të errëta të saj, ashtu do t’i ruajmë këto aleanca edhe në rrugën tonë përpara, përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida”, ka deklaruar Osmani.
Kjo e fundit tha se trashëgimia e Rugovës do të rrojë edhe në brezat pasardhës.
Përgjatë homazheve, Osmani u shoqërua edhe nga Kurti i cili tha se ish-presidenti Rugova do të kujtohet për qëndrimin intelektual të tij, qasjen paqësore dhe jo vetëm.
“Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe këtu në Prishtinë te varri i presidentit Ibrahim Rugova. Presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës dhe presidentit të parë të Kosovës së çliruar. 21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile”, deklaroi Kurti.
Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore e ushtarake.