Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, ka theksuar se personat që mungojnë janë plaga më e thellë e luftës dhe se drejtësia për ta është një premtim që nuk shuhet kurrë.

“Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me dhunë, me dhimbje e respekt të thellë kujtojmë qytetarët tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Secili emër në atë listë është një jetë e ndalur dhunshëm, një familje që pret, një plagë që kërkon shërim, një ankth që nuk shuhet kurrë”, ka shkruar Osmani ne Facebook.

Ajo ka theksuar se edhe pas 26 vitesh, Serbia vazhdon të refuzojë hapjen e arkivave ku ndodhen të dhëna për të zhdukurit dhe varrezat masive, duke e cilësuar këtë si një përsëritje të përditshme të krimit.

“Prandaj, lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë”, ka theksuar presidentja.