Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit të përqendrimit në Mauthausen të Austrisë.

Ajo ishte e shoqëruar nga presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, dhe Zonja e Parë, Doris Schmidauer.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se përpara ceremonisë, pati një takim të sinqertë dhe të frytshëm me presidentin austriak, ku diskutuan për miqësinë e qëndrueshme mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Kosovës.

“Para ceremonisë përkujtimore, patëm një diskutim të sinqertë e përmbajtësor për miqësinë tonë të qëndrueshme e përkrahjen e çmuar të Austrisë në çdo etapë të shtetndërtimit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Presidentja shtoi se Kosova është e përkushtuar për procesin e integrimit euro-atlantik, e në këtë rrugëtim” është e bekuar të ketë në krah miq sikurse Austria”.