Osmani: Dëshmorët e UÇK-së janë kujtimi dhe motivi i përhershëm për Republikën e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Dëshmorëve të komunës së Prishtinës, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve. Republika e Kosovës, sipas presidentes Osmani është ideali i shumë brezave dhe kontribut i dëshmorëve të UÇK-së, të […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Dëshmorëve të komunës së Prishtinës, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve.
Republika e Kosovës, sipas presidentes Osmani është ideali i shumë brezave dhe kontribut i dëshmorëve të UÇK-së, të cilët e përmbushën ëndrrën tonë për liri dhe shtet.
“Sot përkulemi para veprës së të gjithë dëshmorëve të UÇK-së nga komuna e Prishtinës, të cilët mbrojtën dinjitetin tonë, na bënë krenarë me heroizmin e tyre duke dhënë jetën për lirinë tonë, për shtetin tonë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se ata do të jenë përherë udhërrëfyes për brezat dhe kujtesa për rrugën nëpër të cilën populli ka kaluar deri te liria.
“Dëshmorët e UÇK-së, janë kujtimi dhe motivi i përhershëm për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Osmani.















