Është anuluar takimi i presidentes Vjosa Osmani me komandantin e Komandës së Forcave Aleate të NATO-s në Napoli, Admiral Stuart Munsch, por ata kanë zhvilluar një bisedë telefonike.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili ka theksuar se Osmani nuk ka mundur të dalë në zyrë për shkak të një virusi sezonal.

“Takimi në mes të presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal. Presidentja ka biseduar me Admiralin Munch nëpërmjet telefonit dhe do të takohet me të së shpejti në njërin nga udhëtimet e radhës”, ka thënë Kupina për Kallxo.com.

Admirali Munsch, këtë të martë, është takuar me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin diskutuan për aktivitetet e KFOR-it e mbështetjen e NATO-s për dialogun Kosovë – Serbi.

Paraprakisht, ai është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, në Shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë.

Komanda e Napolit ka njoftuar se ata diskutuan për aktivitetet e KFOR-it e mbështetjen e NATO-s për dialogun Kosovë – Serbi.