Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që në ditët në vijim të ftojë në takime liderët e partive politike për të diskutuar ngërçin e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

Sipas tij, presidentja pret që partitë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga gjykata.

“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata. Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë Kupina.

Ai ka shtuar se nëse paraqitet nevoja, presidentja është e gatshme t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.

Vazhdimi i seancës konstituive, e cila kishte nisur më 15 prill, do të mbahet për herë të 40-të më 1 korrik 2025.

Ndërkohë, më 28 qershor, pas orës 16:00, kryeministri në detyrë dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, zhvilloi një takim me përfaqësues të partive të tjera politike për të diskutuar mundësitë e zgjidhjes së ngërçit parlamentar.

Takimi zgjati më shumë se dy orë, por përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.