Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjatë mandatit të saj ka kundërshtuar publikisht draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga emisari evropian Miroslav Lajçak.
Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Osmani tha se kishte ngritur vazhdimisht shqetësime për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën e Kosovës.
“E kam ngritur zërin kundër draftit të statutit të Asociacionit të komunave serbe të hartuar nga Miroslav Lajçak. Kam folur me dhjetëra herë kundër tij”, deklaroi Osmani.
Sipas saj, drafti ishte trajtuar nga disa përfaqësues institucionalë si dokument në përputhje me Kushtetutën, por ajo kishte mbajtur qëndrim të kundërt.
“Edhe kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ish-kryetari i Kuvendit e trajtonin si të përputhshëm me Kushtetutën. Unë dola dhe thashë se nuk është në përputhje me të dhe tregova se cilat janë shkeljet”, tha Osmani.
Ajo theksoi se dokumentet, deklaratat dhe qëndrimet publike të Presidencës dëshmojnë vazhdimësinë e kundërshtimeve të saj ndaj draftit.
“Deklaratat që i kemi lëshuar si Presidencë, intervistat dhe fjalimet e mia e dëshmojnë këtë qëndrim”, u shpreh ajo.