Osmani: FSK është e gatshme të mbrojë sovranitetin e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin vjetor para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Istog, ka thënë se FSK është e gatshme të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. E para e vendit ka thënë se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO, për t’i treguar botës […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin vjetor para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Istog, ka thënë se FSK është e gatshme të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
E para e vendit ka thënë se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO, për t’i treguar botës se FSK është e gatshme në shërbim të paqes dhe sigurisë globale.
E veshur me rroba ushtarake, Osmani shtoi se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është domosdoshmëri, ku sot më shumë se kurrë, sipas saj, duhet vigjilencë.
“Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik na bën krenar secilin. Është nder e privilegj sa herë jam në mesin tuaj. Mbi të gjitha djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për të mbajtur integritetin territorial e sovranitetin e shtetit tonë. Ju shqyheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinë e përkushtim ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si shtet”, tha ajo.
Ajo para ushtarëve të vendit tha se betimi që ushtarët kanë dhënë për t’i shërbyer atdheut është më i shenjtë se çdo gjë tjetër.
“Viti që po lëmë pas, u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare hegjemoniste. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhemi gardianë”, ka vijuar Osmani.















