Osmani: Gjermania, partneri kyç për paqe dhe siguri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka theksuar rolin kyç të Gjermanisë në ofrimin e sigurisë në rajonin e Kosovës që nga qershori i vitit 1999, përmes pranisë ushtarake në KFOR. Presidentja Osmani falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme në rritjen e trupave ushtarake në KFOR, duke […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka theksuar rolin kyç të Gjermanisë në ofrimin e sigurisë në rajonin e Kosovës që nga qershori i vitit 1999, përmes pranisë ushtarake në KFOR.
Presidentja Osmani falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme në rritjen e trupave ushtarake në KFOR, duke e cilësuar si një shenjë të qartë të solidaritetit dhe të mbështetjes për popullin e Kosovës.
Ajo, gjithashtu, ka theksuar se ky vendim është një reflektim i përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, diskutuan çështjet e interesit të përbashkët, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
“Vendimi për rritjen e trupave ushtarake është një reflektim i qartë i mbështetjes për popullin tonë, por njëkohësisht i mbështetjes për përpjekjet tona të përbashkëta për paqe dhe stabilitet e siguri afatgjate në rajonin tonë. Bashkë me ministrin diskutuam çështjen e interesit të ndërsjellë, me theks të veçantë se si shtetet tona mund të avancojnë edhe më shumë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Mundësitë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit të edukimit të këtyre forcave, zhvillimit profesional e specialistik si dhe angazhimit të përbashkët për finalizimin e marrëveshjes për statutin e forcave marrëveshjes Sofa ndërmjet dy vendeve tona e po ashtu edhe çështje të tjera”, ka deklaruar Osmani në konferencë për medie.
Presidentja e Kosovës ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar një ushtri me standardet më të larta të NATO-s, duke kontribuuar në forcën paqeruajtëse dhe duke pasuar një linjë të moderuar dhe të përkushtuar ndaj paqes në skenën ndërkombëtare.
Po ashtu, presidentja ka kritikuar Serbinë për mosekstradimin e terroristëve të sulmit të 24 shtatorit, duke akuzuar atë për destabilizim të Kosovës dhe të rajonit.
“Për fat të keq, politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet për akte agresioni ndaj Kosovës. Dhe natyrshëm që për të parandaluar këto sulme të në ardhmen, ne kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë sikurse edhe të aleatëve e partnerëve të tjerë euroatlantikë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar, gjithashtu, se Serbia ende nuk u nënshtrohet masave nga ana e BE-së.
“Sot në vend se Serbia t’i ekstradojë terroristët e sulmit të 24 shtatorit, vazhdon t’i inkurajojë ata për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin e përderisa Serbisë nuk i janë shqiptuar masa nga ana e BE-së”, ka deklaruar tutje Osmani.















