Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmjen e së enjtes ka reaguar në lidhje me grevën e mësimdhënësve dhe pamundësisë që mësimi të fillojë me një shtator ashtu sic parashihet në situata normale.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se bojkoti i mësimit duhet të zëvendësohet me dialog në mes të palëve të përfshira, qeverisë dhe sindikatës së arsimit.

Ajo është shprehur se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka të drejtë të kërkojë mirëqenie për mësimdhënësit por jo të ndalohet i tërë procesi arsimor

“Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresoj shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor”, ka shkruar Osmani.

Presidentja e Kosovës, ka theksuar se Projektligji i ri i pagave, tashmë është proceduar dhe se sipas saj shumë shpejt do të dalë në diskutim publik për t’u diskutuar paraprakisht në mënyrë që të adresohen propozimet e të gjitha palëve të interesuara.

“Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik”, ka thënë ajo.

Sipas saj, palët duhet të dialogojnë mes vete dhe jo të mbahen grevat.

“Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera”, është shprehur Osmani.

Presidentja e Kosovës, ka insistuar se procesi mësimor duhet të jetë i pakushtëzuar

“Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve”, ka thënë ajo.

Tutje, Osmani ka thënë se është pro përmirësimit të kushteve të mësimdhënësve dhe po ashtu pro rritjes së cilësisë në arsim.

“Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu!”, ka thënë Osmani.

Në fund, presidentja e vendit ka bërë të ditur se ka kontaktuar me të gjitha palët dhe se është duke u angazhuar për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme e cila do të jetë në interes të nxënësve.