Osmani: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja në veri, çdo gjë të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët

Kosova është e gatshme t'i mbajë këto zgjedhje, problemi është se komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, po frikësohet nga njerëzit që paguhen, përkrahen dhe nxiten nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe nga Serbia, ka thënë presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Kosova është e gatshme të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Por, për këtë duhet që ndërkombëtarët të mos lejojnë që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të ndërhyjë në zgjedhjet e një vendi tjetër.

Kështu është deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë për “Politico”, teksa ka theksuar se bojkoti i zgjedhjeve në veri u bë shkaku i presionit që po u bëhej popullatës lokale atje.

“Jemi të gatshëm të mbajmë këto zgjedhje, problemi është se komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, po frikësohet nga njerëzit që paguhen, përkrahen dhe nxiten nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe nga Serbia. Atyre u bëhet presion të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ne ende nuk po shohim lëvizje ku Vuçiqi do të ndalojë së ndërhyri në zgjedhjet e një shteti tjetër”, tha Osmani.

Osmani ka potencuar se duhet përkujdesur që çdo gjë të bëhet në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë e me aleatët, në mënyrë që të evitohen tensionet, për të cilat thotë se nuk i ndihmojnë askujt.

“Tensionet i bëjnë njerëzit të ndihen të pasigurt, largon investuesit potencial nga vendi ynë, ndonëse Kosova është shtet shumë i sigurt. Dhe po ashtu tensionet u marrin aq shumë energji institucioneve, në vend se të merremi me reformim të sistemit të arsimit, shëndetësisë, e të krijojmë vende pune. Historia e Kosovës është histori e aksioneve të përbashkëta. Kemi qenë gjithmonë të suksesshëm kur kemi punuar së bashku me partnerë, e aleatë”, u shpreh Osmani.

Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE, sipas Osmanit, do të ndikonte pozitivisht në stabilitet dhe paqe.

“Është e vështirë të mos bëhesh i padurueshëm, veçanërisht kur të kërkohet të kompletosh detyra shumë konkrete dhe e bën çdo gjë që të kërkohet dhe nuk ndodh asgjë. Vetëm merrni procesin e liberalizimit të vizave, që të flasim teknikisht është ndryshe nga rruga e integrimit, por është pjesë e asaj ndjesie që je pjesë e familjes evropiane. Kemi kompletuar gjitha kriteret dhe atë pesë vjet para se të marrim vendimin për liberalizmin. Kështu që për pesë vjet vetëm kemi pritur aty dhe asnjë nuk ka qenë në gjendje të na japë arsye pse procesi është vonuar. Mund të imagjinoni se për diçka aq bazike, siç është liria e lëvizjes, edhe pas kompletimit të gati 100 kritereve, ata nuk na dhanë vendimin deri së fundi”, tha Osmani.

Ndërkohë, Osmani tha se nuk e sheh problem dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën e Moldavinë.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika