Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Dorothy Shea ka qenë zyrtarja e radhës që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara.

Pas këtij takimi, Osmani ka thënë se aleatët amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës.

Udhëheqësja e shtetit në agjendë ka pasur edhe një diskutim në Institutin “Hudson” në Washington rreth rëndësisë së lidershipit amerikan për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor.

Aty ka thënë se Kosova është thellësisht e interesuar për bashkëpunim ekonomik me SHBA-në, duke shprehur besimin se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.

Duke folur për mundësitë e partneritetit në sektorin e energjisë, Osmani e ka përmendur që Kosova është e treta në Evropë dhe e pesta në botë me rezervat e thëngjillit.

“Tani ekzistojnë teknologji të reja, andaj synojmë të bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara, me kompanitë amerikane që të sjellin teknologjinë, e cila do të mundësonte përdorimin e rezervave që kemi, por në mënyrë më të pastër”, ka thënë Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Kur ka folur për sektorin e mbrojtjes, Osmani ka thënë se Kosova është duke analizuar mënyra për prodhim të armëve, derisa edhe në këtë drejtim, sipas saj, ka mundësi bashkëpunimi.

“Besojmë se Kosova ka kapacitet të jashtëzakonshëm për prodhim të armëve, përkrah SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim, në këtë periudhë kur na duhet të prodhojmë më shumë për shkak të nevojave tona të brendshme, por edhe për shkak të asaj që i nevojitet Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleancës së NATO-s – ku Kosova synon të anëtarësohet”, ka thënë Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Por, aty u bë çështje diskutimi edhe kriza politike në Kosovë pas ngecjes së procesit të formimit të institucioneve të reja.

Ishte eksperti amerikan për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor Daniel Serwer, ai i cili e pyeti Osmanin nëse ka nevojë për një ndryshim thelbësor të Kushtetutës, në mënyrë që kjo situatë mos të përsëritet sërish.

Kur u përgjigj, Osmani bëri të ditur se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

“Në kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikohej çdo skenar i vetëm. U hartua në një mënyrë me një mendim pozitiv, që ligjvënësit do të bashkëpunonin, në vend që të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin. Pra, tani për tani, për shkak të një mungese qartësie kushtetuese, nëse mund ta quaj kështu, Parlamenti nuk është konstituuar. Por patëm një rast të ri në gjykatën Kushtetuese dhe gjykata ka sqaruar se ekziston ky afat i rreptë 30-ditor, i cili do të skadojë më 26 korrik, për Kushtetutën e Parlamentit. Por nuk sqaroi se cilat janë pasojat ligjore të mosrespektimit të atij afati të detyrueshëm kushtetues. Pra, duket se do të më duhet t’i drejtohem përsëri gjykatës dhe t’u bëj atyre atë pyetje të veçantë, dhe shpresoj se ata do të përgjigjen”, ka thënë Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Megjithatë, Osmani është shprehur optimiste për tejkalimin e ngërçit politik.