Sot janë bërë 25 vjet nga vrasja e vëllezërve Ylli, Agron e Mehmet Bytyqi. Me rastin e këtij përvjetori ka shkruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani e ka akuzuar Serbinë duke thënë se po vazhdon t’i lavdërojë kriminelët e luftës.

“Familja e Yllit, Agronit, dhe Mehmet Bytyqit, qytetarë amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, ende kërkojnë drejtësi. Edhe sot e kësaj dite, regjimi i Serbisë vazhdon të lavdërojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës. Nuk do të pushojmë derisa keqbërësit të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social X.

Familja Bytyçi kërkon drejtësi për vrasjen e tre vëllezërve nga Serbia

Vëllezërit Bytyqi kanë qenë shtetas të Shtetëve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Vëllezërit Bytyqi kishin lënë SHBA-në ku jetonin për të luftuar përkrah ushtarëve të tjerë të UÇK-së. Pas luftës ata u arrestuan në kufirin Kosovë – Serbi dhe pas disa ditësh zyrtarisht u liruan, por nga ai moment u zhdukën. 8 korriku 1999 kujtohet si dita e vrasjes së tyre.