Në Ditën e Evropës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e vlerave themelore që ndajnë Kosova dhe Bashkimi Evropian – demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit – si shtylla udhërrëfyese në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Në shkrim në Facebook, Osmani ka thënë se për popullin e Kosovës, kjo ditë është një simbol i përkushtimit të palëkundur ndaj projektit evropian, përkundër sfidave dhe padrejtësive që shoqërojnë këtë rrugëtim.

“Në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tonë.

Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit tonë të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat përballemi gjatë këtij rrugëtimi”, ka shkruar Osmani.

Presidentja u ndal edhe te masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato të padrejta dhe kërkoi që të hiqen menjëherë.

Ajo gjithashtu kritikoi qasjen e BE-së ndaj Serbisë, duke e cilësuar si të butë dhe akomoduese ndaj një shteti që po ndjek politika destabilizuese në rajon.

“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë.

Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, ka shtuar Osmani.