Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, Avni Dehari, duke kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit brenda 48 orëve, në mënyrë që të garantohet funksionimi kushtetues i institucioneve të dala nga zgjedhjet.

Në letrën drejtuar Kuvendit, Osmani ka theksuar se “garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është përgjegjësi thelbësore e saj si Presidente”, ndërsa ka cituar disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që, sipas saj, obligojnë institucionet të mos bllokojnë, por të mundësojnë themelimin e pushtetit.

Ajo ka veçuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin K072/20, ku thuhet se “strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të jetësojnë dhe jo të bllokojnë funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve”.

Presidentja përmendi edhe rastin K0119/14, ku theksohet se të gjithë deputetët kanë obligim të gjejnë mënyra për të funksionalizuar Kuvendin dhe se kryesuesi i seancës konstituive ka përgjegjësi të përmbushë detyrat në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës.

“Praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese ka karakter detyrues. Është përgjegjësi e të gjithëve që të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve që burojnë nga vullneti qytetar”, thuhet në letrën e Presidentes Osmani.