Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Në këtë takim, Osmani theksoi nevojën për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe largimin e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit.

Presidentja ngriti gjithashtu shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe kërkoi angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare për t’i ndalur këto veprime.

“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sa i përket dialogut, Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë, të barabartë dhe me objektiva të qarta, që do të kontribuojë në paqe dhe stabilitet në rajon.

Ajo falënderoi Sorensenin për angazhimin e tij në një dialog parimor.

“Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme. Ndërlidhur me Dialogun, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi z. Sorensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve”, thuhet në njoftimin.