Osmani kërkon reagim nga QUINT-i dhe BE: Serbia po arreston qytetarët tanë me akuza të rreme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj arrestimit të ish-policit Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe, duke e cilësuar këtë akt si arbitrar dhe të ngjashëm me veprimet shoviniste të viteve ’90. Sipas saj, Serbia po e përdor ligjin për qëllime politike, duke kërcënuar qytetarët e Kosovës në vend që të përballet me të kaluarën. […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj arrestimit të ish-policit Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe, duke e cilësuar këtë akt si arbitrar dhe të ngjashëm me veprimet shoviniste të viteve ’90.
Sipas saj, Serbia po e përdor ligjin për qëllime politike, duke kërcënuar qytetarët e Kosovës në vend që të përballet me të kaluarën.
“Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka theksuar se arrestimi i Spahiut është bërë mbi akuza tërësisht të rreme dhe se këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë përpjekjet për dialog e normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Presidentja ka njoftuar se ka kërkuar reagim të fuqishëm nga shtetet e Quint-it dhe Misioni i BE-së që, sipas saj, nuk duhet të injorojnë këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë.
“Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen”, ka shkruar Osmani.
Në fund, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke i quajtur arrestimet e fundit si pjesë e një fushate destabilizuese të shtetit serb.
Gjithashtu, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë udhëtimin drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë.















