Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar lart rolin e KFOR-it dhe NATO-s në Kosovë.

Ajo ka thënë se këto dy organizata e kanë një vend të veçantë në zemrat e qytetarëve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës këto fjalë i tha në ceremoninë e pranim-dorëzimit të komandës së KFOR-it, ku komandanti aktual Ferenc Kajari pritet t’ia dorëzojë komandën e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia-s.

“KFORI dhe NATO kanë një vend të veçantë në secilën zemër të qytetarëve të Kosovës. Kosova e njeh kontributin e KFORIT në Kosovë, mijëra ushtarë të NATO-s kanë kontribuuar për liri të lëvizjes, për paqe, për siguri gjatë këtyre 20 viteve”, ka thënë ajo.

Osmani i ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e KFOR-it të cilët kanë kontribuuar në Kosovë nga paslufta e deri në kohën e sotme.

Presidentja e Kosovës ka theksuar se falë prezencës së ushtarëve të KFOR-it, qytetarët e Kosovës ndihen më të sigurtë, pavarësisht kërcënimeve të Serbisë.

“Falë prezencës suaj, pavarësisht luftërave në Ukrainë, dhe kërcënimeve të fqinjit tonë, ne jemi të sigurtë në vendin tonë”, ka thënë ajo.

Osmani po ashtu e ka falënderuar KFOR-in për ndihmën e tyre në ndërtimin e mekanizmave të sigurisë.

Ajo u shpreh se Kosova qëndron krah popullit të Ukrainës.