Osmani: Koha e ringritjes së LDK-së, ka filluar

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rezultatin e arritur nga LDK-ja në zgjedhje si një sinjal të qartë se partia është në rrugën e ringritjes, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë.

Në konferencën e LDK-së pas përmbylljes së procesit zgjedhor, Osmani tha se pajtohet plotësisht me vlerësimet e kryetarit të partisë dhe shprehu mirënjohje për votuesit që, sipas saj, kontribuuan në rritjen e mbështetjes për LDK-në.

“Faleminderit, përveç se që pajtohem me secilën fjalë që e tha kryetari i LDK-së, dua po ashtu që edhe një herë t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për përkrahjen që na kanë dhënë në këto zgjedhje, të cilat, përkundër kohës tepër të shkurtër që kishim në dispozicion për fushatë dhe për ta prezantuar vizionin tonë, e rritën LDK-në apo bazën elektorale për rreth 34 për qind. Tani jemi në 20 mandate, apo pesë pikë përqindje më shumë, që është rritja më e madhe që ka pasur cilido subjekt politik që ka garuar në këto zgjedhje”, deklaroi Osmani.

Ajo theksoi se ky rezultat përbën vetëm fillimin e një procesi më të gjerë të konsolidimit të partisë.

“Natyrisht që ky është vetëm hapi i parë drejt ringritjes, por kjo rritje na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë dhe edhe me shumë punë në terren e afër qytetarëve tanë besoj që LDK-ja do të vazhdojë të ringritet edhe në muajt e vitet në vijim”, u shpreh ajo.

Osmani falënderoi gjithashtu institucionet e angazhuara në organizimin e zgjedhjeve, duke vlerësuar mbarëvajtjen e procesit dhe pjekurinë demokratike të vendit.

“Dua t’i falënderoj po ashtu të gjitha institucionet që kanë qenë të angazhuara sot gjatë ditës për një organizim të rregullt dhe pa asnjë incident të procesit zgjedhor. Edhe një herë kjo ka dëshmuar fuqinë e demokracisë në vendin tonë”, tha ajo.

Sipas Osmanit, pjesëmarrja më e ulët në votime krahasuar me proceset e kaluara ishte e kuptueshme, duke pasur parasysh lodhjen e qytetarëve nga zgjedhjet e shpeshta dhe krizat politike.

“Siç u pa kësaj radhe pjesëmarrja ishte relativisht më e ulët në krahasim me proceset e tjera dhe kjo është krejtësisht normale, duke e ditur që qytetarët janë lodhur me procese zgjedhore dhe me krizat e pafundme. Kjo është arsyeja pse ne, që nga nesër, gjithë angazhimin tonë do ta fokusojmë që t’i japim vendit institucione, në mënyrë që urgjentisht të ndërmerren hapa që e nxjerrin Kosovën nga kriza dhe i ndihmojnë vendit që të arrijë suksese si përbrenda ashtu edhe të fuqizohet jashtë”, deklaroi ajo.

Duke komentuar mesazhin që, sipas saj, kanë dhënë qytetarët përmes votës, Osmani tha se rezultati ka ndihmuar në krijimin e një balanci më të madh politik dhe në promovimin e frymës së bashkimit.

“Qytetarët nëpërmjet votës së vet kanë ndihmuar që të ribalancohet skena politike, nëpërmjet votës së vet i kanë ndihmuar demokracisë, që ka qenë pikërisht thirrja jonë përgjatë kësaj fushate, dhe njëkohësisht kanë ndihmuar që të refuzohet përçarja dhe të pranohet koncepti i bashkimit si vizion i cili duhet të çohet përpara edhe nga ne, por edhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

Ajo gjithashtu u shpreh optimiste për të ardhmen e partisë, duke e cilësuar rezultatin si një moment shpresëdhënës.

“Siç e thashë, ky është vetëm hapi i parë, është një hap jashtëzakonisht shpresëdhënës për ne. Me punë të vazhdueshme afër qytetarëve tanë, jemi jashtëzakonisht optimistë pas këtij rezultati. Koha e ringritjes vetëm se ka filluar dhe nuk ka asgjë që e ndal”, shtoi Osmani.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika