Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë këtë të mërkurë në hapjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor.

Osmani theksoi se Kosova është vend i të gjithëve dhe se kështu, sipas saj, do të jetë gjithmonë.

Ajo i bëri thirrje shoqërisë kosovare ta ngrisin zërin ndaj padrejtësive dhe diskriminimeve.

“Kosova është shtëpi e të gjithëve, dhe të tillë do ta mbajmë gjithmonë. Duhet të refuzojmë indiferencën ndaj fenomeneve të diskriminimeve. Të ngrihemi kundër padrejtësive dhe ta shndërrojmë shoqërinë kosovare në model të respektit ndërmjet të gjitha përkatësive, qofshin ato etnike, racore apo të tjera”, ka thënë ajo.

Presidentja e Kosovës u shpreh se shoqëria kosovare është diverese dhe se të drejtat e të gjithë njerëzve i garanton Kushtetuta e vendit.

“Shoqëria kosovare është divesre, në themelet kushtetuese tona qëndron edhe shpirti shumëetnik i vendit tonë. Shteti i Kosovës është ngritur mbi diversitetin e përkatësive të ndryshme që i japin forcë Republikës”, ka thënë ajo.

“Gjithpërfshirja, respekti e dialogu janë parakusht për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë, janë parakusht për zhvillim të mirëfilltë, të dinjitetshëm dhe të qëndrueshëm të shtetit tonë”, vijoi ajo.

Tutje, presidentja tha se askush s’e kupton më mirë sesa qytetarët e Kosovës se cdo të thotë të diskriminohesh.

“Askush më shumë se Kosova nuk I ka vuajtur diskriminimet sistematik, në veçanti gjatë viteve 80-90, në kohën e regjimit serb. Është obligimi yni që çdo ditë dhe secili prej nesh të kontribuojmë që askush të mos ndihet i diskriminuar, sidomos në aspektin racor”, tha ajo.