Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Gjatë këtij takimi, ata diskutuan mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mundësinë e sulmeve nga Serbia.

Osmani shprehu besimin e saj të plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të jenë në gjendje të parandalojnë çdo sulm të mundshëm nga Serbia, duke kontribuuar kështu në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

“Presidentja shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në një komunikatë për media, Presidenca e Kosovës bëri të ditur se Osmani ka falënderuar KFOR-in për angazhimin e tyre të vazhdueshëm si forca e tretë reaguese, e cila garanton sigurinë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Osmani ka falënderuar KFOR-in në veçanti për shtimin e trupave që po i mbështesin institucionet e Kosovës në patrullimin e kufirit me Serbinë, veçanërisht pas aktit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.

Gjatë takimit me komandantin Ulutaş, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit mes KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë, për të mirën e stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë.

Osmani u informua gjithashtu për gjendjen e ushtarëve të forcës shumëkombëshe që u lënduan në veri të Kosovës në maj. Ajo potencoi se bandat kriminale serbe, të cilat sulmuan NATO-n, fatkeqësisht ende janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në maj, është një mesazh i keq dhe inkurajim për Serbinë që të sulmojë përsëri.