Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur zhgënjimin e saj ndaj Bashkimit Evropian në një intervistë për Politico, duke thënë se përpjekjet e Kosovës për integrim evropian nuk po marrin vlerësimin e duhur nga Brukseli.
Osmani ka nënvizuar se Kosova nuk po tenton të zhvillojë marrëdhënie me vende të tjera të cilat i konsideron si “fuqi keqdashëse”, duke përmendur Rusinë, Kinën dhe Iranin, por ndjen se puna e vendit të saj po merret si e mirëqenë.
“Por në të njëjtën kohë, nuk e ndiejmë që ky qasje pro-evropiane dhe fakti që ne jemi 100% të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është parë ose vlerësuar. Përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë. 97% e njerëzve, sigurisht, janë pro-evropianë. Reformat tona në ekonomi, në sundim të ligjit, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar. Dhe duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka që duhet të vijë. Unë ende nuk e shoh të ndodhë..
Por shpresoj, ashtu siç thatë ju, që Gjermania do të luajë atë rol udhëheqës në shtyrjen e një procesi të bazuar në meritë, sepse ne nuk po kërkojmë bamirësi. Nuk po kërkojmë rrugë të shkurtër. Po kërkojmë, pikërisht, respekt për punën që bëjmë dhe pranimin e reformave që ne ndërmarrim. Dhe nëse kjo do të merret parasysh, Kosova do të bëhej vendi udhëheqës. Por realiteti është se tani për tani, aplikimi ynë as nuk është shqyrtuar. Ne aplikuan në dhjetor 2022, dhe tani jemi pothuajse në dhjetor 2025. Ai ndodhet diku në sirtarët e Bashkimit Evropian, por nuk po ecën përpara”, ka thënë Osmani.
