Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën në Pastasellë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës.

Me anë të një postimi, Zyra e Presidentes ka publikuar një deklaratë të Osmanit. Ajo ka thënë se Kosova nuk do të heqë dorë duke kërkuar drejtësi për viktimat e masakrave dhe të zhdukurit me dhunë.

“Sot kujtojmë masakrën e kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastasellë të Rahovecit, me ç‘rast u vranë dhe u masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, në Burim të Malishevës u vranë dhe u masakruan 42 civilë. Dhembja vazhdon të jetë po kaq e madhe sikur në ditën e vrasjes së tyre, ndërsa kujtimi për ta i përhershëm. Drejtësia për viktimat e regjimit serb dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë kërkesa të përhershme tonat, nga të cilat ne nuk heqim dorë”.

E premtja e 31 marsit shënon 24-vjetorin e Masakrës në Pastasellë të Komunës së Rahovecit dhe në Burim të Malishevës.

Në masakrën në Pastasellë të Rahovecit janë vrarë dhe masakruar 106 persona, nga ky fshat dhe fshatrat e tjera përreth. Sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 24 vjetësh figurojnë të pagjetur.

Të vrarët më pas u dogjën, ndërsa të mbijetuar nga kjo masakër figuruan 13 persona.

Deri tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë.

Krahas përvjetorit të kësaj masakre, mbushen edhe 24 vjet nga masakra në Burim të Malishevës.

Në këtë të fundit u masakruan 42 civilë shqiptarë.

Masakra në Pastasellë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës janë ndër nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.