Presidentja e vendit,  Vjosa Osmani ka kujtuar sot martirët dhe dëshmorët e kombit në 25-vjetorin e masakrave serbe në Polac dhe Abri të Poshtme të Skenderarit.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” tha se martirët dhe dëshmorët do të kujtohen dhe para tyre përkulen me respekt.

“Polaci dhe Kosova sot kujtojnë prillin e vitit 1999, kur regjimi gjenocidal i Serbisë në një ofensivë njëjavore, vrau 78 martirë të këtij fshati dhe atyre përreth. Sot i kujtojmë dhe përulemi me respekt edhe për tetë dëshmorët e UÇK-së, të cilët ranë në altarin e lirisë. Makineria e regjimit gjenocidal të Serbisë afro dy muaj para kapitullimit të saj, intensifikoi përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik anembanë Kosovës. Më 7 prill makineria vrastare njësoj veproi edhe në Abri të Poshtme, ku u vranë 10 civilë nga Qabiqi”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani tha se duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, nderohet e kaluara, teksa nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi, në mënyrë që autorët e këtyre krimeve makabre të sillen para drejtësisë.