Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë mbarëkombëtare.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka thënë se ky kuvend historik për kombin, nëpërmjet organizmit gjithëkombëtar politik dhe luftarak, paraqet organizim kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve fqinje.

E para e vendit, ka thënë se kjo lidhje paraqet bashkimin më të madh të shqiptarëve pas Kuvendit të Lezhës.

“Në 144-vjetorin e saj, kujtojmë me respekt ideologët e saj si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e të tjerë, të cilët arritën unitetin e faktorit shqiptar, i cili është i nevojshëm edhe sot e kësaj dite”, ka shtuar Osmani.

Sipas Osmanit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është frymëzim i përhershëm për emancipimin kombëtar, konfirmimin e orientimit evropian, si dhe referencë e fuqishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.

Presidentja Osmani, ndër të tjera, ka shtuar se ngjarjet e tilla historike bëjnë që të reflektohet ndaj së kaluarës.

“Duke ecur përpara dhe duke gjetur forcën njësoj sikur dikur, që në funksion të mbrojtjes së kombit e atdheut, të gjithë të jemi një”, ka përfunduar Osmani.

Ndryshe, për nder të 144-vjetorit, të premten e dhjetë qershorit, të gjitha shkollat në Kosovë dhe Shqipëri ia kanë kushtuar orën e parë të mësimit kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë shqiptare.