Osmani: Ligji për përfaqësim të drejtë ngjason me ligjin serb të viteve ’90 në Kosovë
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj ligjit të propozuar për përfaqësim të drejtë, duke e krahasuar atë me një ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës Socialiste të Serbisë në vitin 1990, i cili, sipas tij, shërbeu si bazë për largimin e shqiptarëve nga institucionet publike në Kosovë. “Më 26 korrik 1990, […]
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj ligjit të propozuar për përfaqësim të drejtë, duke e krahasuar atë me një ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës Socialiste të Serbisë në vitin 1990, i cili, sipas tij, shërbeu si bazë për largimin e shqiptarëve nga institucionet publike në Kosovë.
“Më 26 korrik 1990, Kuvendi i Republikës Socialiste të Serbisë miratoi ‘Ligjin për Marrëdhëniet e Punës në Rrethana të Veçanta’, të botuar në Gazetën Zyrtare të RS të Serbisë nr. 40/90”, shkruan Osmani.
Sipas tij, ky ligj krijoi bazën ligjore për largimin masiv të shqiptarëve nga administrata, arsimi, shëndetësia, drejtësia dhe institucionet publike në Kosovë.
Osmani e lidh këtë precedent historik me ligjin e propozuar për përfaqësim të drejtë në vend, duke argumentuar se edhe ky i fundit vendos “etikën para etnikes”.
“Është një ide mbi të cilën është ndërtuar e gjithë doktrina e tij: sikur përkatësia etnike të ishte pengesë për meritën dhe sikur mbrojtja e përfaqësimit të shqiptarëve të ishte në kundërshtim me profesionalizmin”, shprehet Osmani.
Ai kritikon gjithashtu mungesën, sipas tij, të mekanizmave detyrues dhe sanksioneve në ligjin e propozuar.
“Ndryshe nga Balancuesi, nuk ekziston asnjë detyrim ligjor që institucionet ta respektojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat”, pretendon Osmani.
Në fund, Osmani e cilëson ligjin si të papranueshëm dhe kërkon që ai të mos miratohet.
“Prandaj ky ligj është as më pak e as më shumë si ligji serb i ’90-ave në Kosovë dhe si i tillë lirisht mund të quhet TRADHËTI. Prandaj NUK GUXON të kalojë”, ka shkruar Osmani.















