Në përvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e sigurt në fitoren e Ukrainës, teksa ka thënë se “lufta e tyre është lufta jonë”.

“Triumfi i demokracisë, drejtësisë dhe lirisë në Ukrainë do të jetë një fitore për demokracitë kudo”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Twitter.

“Kjo luftë e ka bashkuar botën demokratike, por mbi të gjitha e ka dëshmuar se shpirti i popullit ukrainas është i pathyeshëm. Siç e dinë qytetarët e Kosovës shumë mirë, brutaliteti dhe agresioni nuk mund ta pengojnë vullnetin e një populli për të qenë të lirë”, thuhet në deklaratën e Osmanit.

Ndër të tjera, Osmani ka shtuar se Kosova do të qëndrojë gjithmonë përkrah demokracive të botës përballë “tiranive dhe hegjemonive”.

“Sepse ne e dimë se lufta e tyre është lufta jonë dhe se triumfi i demokracisë, drejtësisë dhe lirisë në Ukrainë, do të jetë fitore për demokracitë kudo në botë”, thuhet në deklaratën e Osmanit.

Që nga fillimi i luftës, Rusia është përballur me sanksione nga shtetet perëndimore, të cilat kanë përkrahur financiarisht dhe ushtarakisht Ukrainën.

Po ashtu, Kosova i është bashkuar vendeve perëndimore në dënimin dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Përveçse i është bashkuar SHBA-së dhe BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Kosova edhe ka strehuar disa gazetarë ukrainas, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Përvjetori i parë i luftës në Ukrainë është shënuar edhe në një seancë solemne të mbajtur në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku morën pjesë edhe ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier dhe ambasadori i BE-së në Kosovës, Tomas Sznunuyog.

Në shkurt të vitit 2022, Rusia pushtoi Ukrainën, duke shkaktuar një krizë të rëndë ndërkombëtare. Tashmë, një vit më vonë, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje: si ka ndryshuar gjendja në Ukrainë dhe në rajon, si po reagojnë vendet e tjera dhe cila është perspektiva e ardhshme?

Presidenti ukrainas, Zelensky ka mbajtur një fjalim në rastin e njëvjetorit të agresionit rus në Ukrainë. “Vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe bashkimi. Vit i pathyeshmërisë sonë”, është shprehur Zelensky. Ndërsa, ka falënderuar të gjithë që ndihmuan Ukrainën në këtë një vit për ta rezistuar sulmin rus.