Osmani: Marrëdhënia me SHBA-të dhe aleatët e tjerë s’duhet të përcaktohet nga dialogu me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjatë takimit me delegacionin amerikan është diskutuar për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut gjithnjë të përqendruar në njohjen reciproke

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me Ndihmëssekretaren për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried

Presidentja Osmani, ka thënë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët tjerë nuk do të duhej të përcaktoheshin nga dialogu me Serbinë.

Kështu është shprehur ajo në një konferencë të përbashkët me Donfried.

“As marëdhënia jonë me aleatin tonë më të afërt e as marrëdhëniet tona me anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar nuk do të duhej të përcaktoheshin nga dialogu me Serbinë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin dypalësh me partnerët tanë përderisa ky proces do të vazhdojë”, është shprehur ajo.

Ajo ka thënë se gjatë takimit me Ndihmëssekretaren për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, është diskutuar për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut gjithnjë të përqendruar në njohjen reciproke.

“E ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe se mbetemi të përkushtuar ndaj këtij procesi i cili në qendër e ka njohjen reciproke dhe nga i cili do të përfitojnë përfundimisht qytetarët tanë”, është shprehur Osmani.

Në anën tjetër ajo ka theksuar se gjatë këtij takimi ka shprehur zhgënjimin për moszbatimin e marrëveshjeve të shumta të nënshkruara në Bruksel nga ana e Serbisë.

“Duke përfshirë këtu edhe refuzimin e Serbisë për shpërbërjen e strukturave ilegale që vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe përbëjnë sfidë serioze të sundimit të ligjit dhe sigurisë”.

Ndërkaq, ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Ameriksë, Karen Donfried, ka kërkuar që marrëveshja e normalizimit Kosovë-Serbi duhet të jetë e përqendruar në njohje të ndërsjellë.

“Paqja e progresi i  Kosovës edhe pse i fituar me shumë mund, nuk duhet të merret për të qenë. Duhet luftuar çdo ditë për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Kjo nëpërmjet avancimit të përpjekjeve që të sigurohemi që Kosova do të marrë vendin e duhur në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë përmes marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që përqendrohen në njohje të ndërsjellë”, ka thënë Donfried.

Donfried shprehi falënderimet ndaj Kosovës për hapjen e dyerve për refugjatët ukrainas.

“Nesër në mengjes Osmani do të udhëtojë së bashku më Kryeministrin Kurti në varrimin e ish-sekretares Albright. Përkushtimi i saj për të ardhmen e Kosovës mbetet prioritet për SHBA-të. Lufta e pajustifikuar e Rusisë ndaj Ukrainës ka treguar sa është urgjente që Kosova dhe fqinjtë e saj të integrohen në institucionet evropiane”, ka thënë ajo.

Sipas saj, paqja dhe progresi i Kosovës nuk duhet të mirret si e mirqenë.

“E kam të qartë se resursi më i madh i Kosovës duhet të ruhet, SHBA do të vazhdojë të bashkpunojë përderisa vazhdoni të punoni për zhvillimin ekonomik. E di që lufta në Ukrainë i ka hapur kujtimet e vjetra të Kosovës. Vazhdimisht Kosova i ka treguar botës se kur njerëzit kanë nevojë dyert e tua janë të hapura”.

Tri ditë më herët, këtyre dy vizitave u parapriu vizita e tre senatorëve Chris Murphy, Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen. Këta të fundit janë takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

“Informova mysafirët tanë për rolin destruktiv që Serbia vazhdon ta luaj në rajonin tonë si aleat i Rusisë në një përpjekje për të tërhequr rajonin tonë drejt së kaluarës, por kam besimin e plotë se bashkarisht do të jemi në gjendje t’i ndalojmë këto ndikime malinje për dy arsye kryesore”, ishte shprehur Osmani në një konferencë për media, bën të ditur RTV Dukagjini.

Janarin e këtij viti, Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell kishte konfirmuar se në Kosovë dhe Serbi do të qëndronin  i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika