Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kishte bërë të ditur se nuk do ta kishte mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat të ri në krye të shtetit.
Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Osmani tha se dallimet me pushtetin aktual kanë qenë thelbësore dhe lidhen me mënyrën se si konceptohet shteti dhe funksionimi i institucioneve.
“Jemi duke shkuar në zgjedhje sepse kemi dallime esenciale se si kuptohet shteti. Mua më është bërë e ditur më 26 shkurt nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që nuk do të përkrahem nga LVV. Ai ka pasur hapësirën e mundur që me partitë politike të arrijë një pajtim për çfarëdo emri tjetër”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se nuk ka dashur dhe as nuk ka mundur të pengojë procesin e zgjedhjes së presidentit, duke rikujtuar se mandati i saj kishte përfunduar më 4 prill.
“Nuk kam dashur të pengoj, as nuk kam mundur të pengoj, sepse unë si presidente kam përfunduar mandatin më 4 prill. Ka pasur hapësirë të mjaftueshme që nga 4 deri më 28 prill për të arritur një marrëveshje”, tha ajo.
Sipas Osmanit, mospajtimet nuk kanë pasur lidhje me ambiciet e saj personale, por me rolin që duhet të ketë institucioni i presidentit në një shtet demokratik.
“Ata kanë dashur që këtë institucion ta shndërrojnë në një hiq, në një copë letër që abstenon, në një person që abstenon. Kjo nuk ka pasur të bëjë me ambiciet e mia. Partia nuk donte kompromis që do të ishte në përputhje me Kushtetutën dhe konceptin e shtetit demokratik, ku ka balancë dhe kontroll mes pushteteve”, u shpreh Osmani.
Ajo shtoi se është kërkuar një presidencë e nënshtruar plotësisht ndaj pushtetit, e cila nuk do të ushtronte kompetencat kushtetuese.
“Donin një institucion që nënshtrohet në tërësi, që nuk ekziston dhe nuk e kryen punën e vet, që nuk e përfaqëson vendin jashtë, nuk e udhëheq politikën e jashtme siç e thotë Kushtetuta dhe nuk e ngre zërin për çështjet e rëndësishme. Nuk u gjet kompromisi dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me ambiciet e mia”, deklaroi Osmani.
