Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë mirënjohje për Shoqatën e Kosovës për Kërkim-Shpëtim për kontributin vullnetar në operacionin humanitar në Turqi, pas tërmetit që goditi vendin.

Përmes një postimi në Facebook, Presidenca bën të ditur se në takimin e së mërkurës, Osmani çmoi lart kontributin e tyre.

“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Shoqatën e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, të cilës ia ka ndarë një mirënjohje për kontributin vullnetar në operacionin humanitar në Republikën e Turqisë, pas tërmetit që goditi këtë shtet. Në takim me vullnetarët e kësaj Shoqate, Presidentja Osmani çmoi lart kontributin e tyre, duke potencuar se ata kanë përfaqësuar denjësisht shpirtin solidar e human të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Para dy ditësh, presidentja Osmani e ka dekoruar Kontingjentin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shërbimin në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.

Sipas saj, përpjekjet e FSK-së, jo vetëm që i kanë ndihmuar njerëzit, por kanë treguar se janë të aftë të mbrojnë kombin “ndaj kërcënimeve të jashtme”.

Sipas autoriteteve, numri i viktimave nga tërmeti në Turqi ka arritur në 40 mijë e 642.