Osmani në Ditën e të Zhdukurve: Serbia vazhdon të ripërsërisë krimin e saj, BE-ja të bëjë presion për hapjen e arkivave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka kërkuar ndihmë nga faktori ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Serbisë që të zbatojë obligimet e marra dhe të hapë arkivat e të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur. “Ju bëj thirrje të gjithë komunitetit […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka kërkuar ndihmë nga faktori ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Serbisë që të zbatojë obligimet e marra dhe të hapë arkivat e të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur.
“Ju bëj thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar, miqve, aleatëve të të drejtave të njeriut që të mendojnë për nënat, motrat prindërit, vëllezërit, familjarët e atyre fëmijëve të zhdukur në varreza masive në të cilën flen Serbia 25 vite pas luftës, nëna e cila shkon te varri i zbrazët dhe nuk ka ku të vendosë një lule, për fëmijët që nuk e dinë ku i kanë prindërit e tyre, 25 vite pas luftës, në Serbi janë po ata në krye që shkaktuan zhdukjen e më të dashurve tanë” ka thënë Osmani.
Ndonëse në këtë vit u arrit një marrëveshje në Bruksel dhe pastaj aneksi në Ohër për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, Osmani ka theksuar se Serbia vazhdon të bëjë shkelje flagrante të këtyre obligimeve, vazhdon të ripërsëritë krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.
“Në këtë vit u arrit një marrëveshje në Bruksel dhe pastaj aneksi në Ohër që ka krijuar obligim të qartë për Serbinë për të hapur arkivat, ku gjenden informatat në lidhje me varrezat masive dhe vendndodhjen e të zhdukurve me dhunë, për të detyruar Serbinë të hapë arkivat, përkundër kërkesës së Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit në qershor të këtij vitit detyruar Vuçiqit që të hapë arkivat, Serbia vazhdon të bëjë shkelje flagrante të këtyre obligimeve, vazhdon të ripërsëritë krimin e saj duke e fshehur vendodhjen e personave të zhdukur me dhunë”, ka vijuar ajo.
Ajo shpreson që dialogu në Bruksel nuk do të jetë një proces përmes të cilit do t’i bëhet trysni populli të Kosovës e t’i bëhen padrejtësi, ndërkaq siç thekson ajo, fytyra e Vuçiqit i cili ende fle mbi varrezat masive të vazhdojë të shpërlahet vazhdimisht.
Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.
Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.
Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, dhe kështu ka thënë se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale.
Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Osmani ka thënë se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.
Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta në maj të këtij viti, meqë banorët e komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave.
Banorët e këtyre komunave me shumicë serbe kanë protestuar me javë para ndërtesave dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë.















