Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Mynih të Gjermanisë, ku edhe po mbahet Konferenca e Sigurisë ka takuar presidenten e re të Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se gjatë takimit me presidenten sllovene ka diskutuar për forcimin e partneritetit mes dy shteteve dhe mbështetjen e Sllovenisë për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike.

“Në Mynih, diskutuam forcimin e partneritetit tonë, bashkëpunimin për të kontribuuar në paqe të qëndrueshme në rajon e më gjerë, si dhe mbështetjen për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Zyra e Presidencës ka njoftuar se gjatë takimit të tyre është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Dialog, si dhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Pamje nga takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar.

“Në takimin e parë bilateral me presidenten Pirc Musar, presidentja Osmani e ka përgëzuar për marrjen e detyrës të së pares së shtetit slloven, ndërsa ka shprehur përkushtimin e plotë për të punuar ngushtë në vazhdimin e bashkëpunimit strategjik me Slloveninë edhe gjatë mandatit të saj”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ajo ka thënë se bashkëpunimin e ngushtë Kosova me Slloveninë do ta vazhdojë edhe gjatë mandatit të presidentes Pirc Musar.

Gjithashtu në takim kanë diskutuar në lidhje me situatën gjeopolitike në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë dhe veprimet destabilizuese të Rusisë të cilat siç njofton Presidenca kanë tendencë edhe destabilizimin e rajonit përmes satelitit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Ndër të tjera, në njoftim bëhet e ditur se presidentja Pirc Musar e informoi Presidenten Osmani mbi prioritetet e saj presidenciale në politikën e jashtme, përfshirë vazhdimin e Samitit Bërdo-Brione. Në takim u rikonfirmua  përkushtimi për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Kosovës.

Natasha Pirc Musar mori detyrën si presidente më 24 dhjetor nga paraardhësi i saj, Borut Pahor, në pallatin Presidencial në Lubjanë, një ditë pasi ishte betuar në Parlament.

Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në qytetin gjerman, në Mynih për një konferencë vjetore të sigurisë dhe pushtimi rus i Ukrainës ka qenë në krye të agjendës.