Osmani në New York takohet me sekretarin e Organizatës së Shteteve Islamike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdim të vizitës së saj në New York, e shoqëruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz ka takuar sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Islamike, Hissein Brahim Taha. Siç ka njoftuar Presidenca, e para e vendit e ka falënderuar sekretarin, Taha për mbështetjen që […]



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdim të vizitës së saj në New York, e shoqëruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz ka takuar sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Islamike, Hissein Brahim Taha.
Siç ka njoftuar Presidenca, e para e vendit e ka falënderuar sekretarin, Taha për mbështetjen që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës nga shpallja e pavarësisë e më tutje.
Në veçanti, ajo e ka falënderuar për Rezolutën që së fundi është miratuar nga kjo organizatë me të cilën është bërë thirrje që të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate ta njohin Kosovën.
Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani ka theksuar se për Kosovën është me rëndësi ta thellojë partneritetin me këtë organizatë për t`i luftuar sfidat globale dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës i kontribuon paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon e më gjerë.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e njohjeve të reja nga shtetet anëtare të kësaj organizate, duke potencuar se fuqizimi ndërkombëtar i Kosovës e rritë mundësinë për një Ballkan Perëndimor paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë.






















