Osmani në përkujtim të masakrës së Reçakut: Serbia ka tendenca për ta falsifikuar historinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përkujtim të masakrës së Reçakut ka thënë se mizoria e regjimit të Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë, mori trajtën më çnjerëzore, por sipas saj, shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shteti serb ka tendenca të mëdha për ta falsifikuar historinë e luftës në Kosovë.

Ajo ka shtuar se më 15 janar 1999, u krye një prej krimeve më monstruoze të makinerisë vrastare të Sllobodan Millosheviqit, por ishte edhe moment kthese në histori.

“Mizoria e regjimit të Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë, mori trajtën më çnjerëzore, por shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht. Kjo masakër bëri që qendrat vendimmarrëse demokratike të mobilizoheshin, që ta mbronin një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal, por edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor nuk mund të dorëzohej para hegjemonive, prandaj Kosova duhej të ndihmohej dhe të mbrohej”, është shprehur Osmani.

Presidentja, gjithashtu, ka thënë se krimet e kryera në Reçak, ia dëshmuan botës tragjedinë e madhe që po e përjetonin shqiptarët.

Ajo ka përmendur edhe ish-shefin e OSBE-së, William Walker, të cilin, ajo e ka quajtur si zëri i viktimave dhe i gjithë Kosovës në kohët më të rënda të historisë së vendit.

“Të masakruarit mbase do të vriteshin për së dyti nga propaganda e makinerisë e gënjeshtrës informative, që atë kohë e udhëhiqte presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sikur ish-shefi verifikues i OSBE-së, William Walker, të mos kishte lëshuar një kushtrim gjithandej. Ambasadori Walker u shndërrua në zërin e viktimave dhe zërin e gjithë Kosovës në kohët më të rënda të historisë sonë”, ka thënë Osmani.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se institucionet e Kosovës e kanë detyrim për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat gjithandej Kosovës.

“Historia e gjithsecilit prej tyre është histori e vetë Kosovës”, është shprehur Osmani.

Tutje, presidentja Osmani ka thënë se 45 civilët e masakruar 24 vjet më parë në Reçak të Shtimes, trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit për drejtësi.

“Sot kur i kujtojmë me dhembje të dashurit tanë, të cilëve makineria e dhunës ua këputi jetën vetëm e vetëm sepse ata ishin shqiptarë, sepse donin të jetonin të lirë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta e për të gjitha viktimat gjithandej Kosovës, bëhet synimi ynë më i madh më i rëndësishëm. Sepse historia e secilit prej tyre, është historia e Kosovës”, ka deklaruar presidentja.

Ndërkaq, ajo ka deklaruar se ende nuk dihet fati i mbi 1 mijë e 600 të zhdukurve me dhunë në Kosovë gjatë luftës.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika