Osmani në Samitin Global të Grave në Tajlandë: Secila grua është burim unik frymëzimi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në Samitin Global të Grave në Tajlandë, është shprehur se secila grua është një burim frymëzimi. Në prani të rreth 600 pjesëmarrësve nga mbi 50 vende të botës, Osmani ka theksuar se kjo është hera e parë e saj që ka vizituar Bankokun si presidente. “Kjo nuk është […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në Samitin Global të Grave në Tajlandë, është shprehur se secila grua është një burim frymëzimi.
Në prani të rreth 600 pjesëmarrësve nga mbi 50 vende të botës, Osmani ka theksuar se kjo është hera e parë e saj që ka vizituar Bankokun si presidente.
“Kjo nuk është hera ime e parë që marrë pjesë në një Samit Global të Grave, por është hera ime e parë që vizitoj Bankokun dhe jam e lumtur të jem me ju sot këtu. Unë them gjithmonë se nuk ju mungon shoqëria e mirë kur jeni në mesin e femrave të suksesshme dhe inspiruese. Për mua secila grua është një burim unik frymëzimi”, është shprehur ajo.
Ndryshe, Osmani, të shtunën e 25 qershorit kishte njoftuar se në kuadër të vizitës në Tajlandë, është mbajtur tryeza e karakterit ekonomik e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Diplomatik, Odën Ekonomike Tajlandeze dhe Bordin e Tregtisë së Tajlandës që ka 115 mijë e 417 anëtarë dhe përfaqëson mijëra biznese.

Ajo kishte thënë se në këtë tryezë është diskutuar për mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes të të dyja vendeve.
Në këtë tryezë, prezente ishin biznese e shoqata nga Tajlanda, në mesin e të cilave, disa nga kompanitë më të suksesshme aziatike në fushën e energjisë, ICT, tekstilit, arsimit e turizmit.
Gjatë vizitës, delegacionit iu bashkua edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili bëri prezentimin për potencialin ekonomik të Kosovës para bizneseve tajlandeze.

E para e vendit, të premten e 24 qershorit, ka udhëtuar për në Tajlandë, ku edhe është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin kanë diskutuar rreth gatishmërisë së dyanshme për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët të të dyja vendeve.
Pas vizitës në Tajlandë, Osmani do ta vazhdojë vizitën në Singapor, ku pritet të takohet me homologen e saj, presidenten Halimah Yacob, kryetarin e Parlamentit, Tan Chuan-Jin, ministren e Lartë të Shtetit për Zhvillim Kombëtar dhe Punë të Jashtme, Sim Ann dhe me ministrin e Lartë të Shtetit, Mohamad Maliki Bin Osman.















