Me ftesë të Presidentit të Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për një vizitë pune në Republikën e Letonisë.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të pritet nga homologu i saj letonez, ku do të zhvillojnë fillimisht një takim tête-à-tête, e më pas një takim pune me delegacionet përkatëse. Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja do të marrë pjesë edhe në një drekë pune të shtruar nga Presidenti Rinkēvičs.

Pas takimeve zyrtare, të dy presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ku Presidentja Osmani do t’i dorëzojë Presidentit Rinkēvičs medaljen ushtarake presidenciale, në emër të Forcave Mbrojtëse të Letonisë, për kontributin e tyre në paqe dhe siguri si pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë.

Në kuadër të agjendës njëditore, Presidentja Osmani do të vizitojë edhe Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), si dhe do të zhvillojë takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë. Po ashtu, ajo do të marrë pjesë në një diskutim me ekspertë dhe akademikë mbi politikat që garantojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Vizita e Presidentes Osmani ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Letonisë, thellimin e bashkëpunimit në fushat e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë dhe integrimit euroatlantik, si dhe shkëmbimin e përvojave në ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve demokratike.