Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vizitoi sot ushtrimin ushtarak ndërkombëtar Defender Europe ’25, i cili po zhvillohet në territorin e Kosovës dhe është më i madhi i këtij viti i organizuar nga US Army Europe.

Në këtë ushtrim marrin pjesë forcat e armatosura të SHBA-së, vendeve aleate të NATO-s dhe rreth 1000 pjesëtarë të FSK-së.

Presidentja ka theksuar se ky ushtrim dëshmon përkushtimin e Kosovës ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, si dhe gatishmërinë e saj për të qenë pjesë e NATO-s.

Ajo e quajti këtë pjesëmarrje një kapitull të ri në bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar të vendit.

“Vetëm dy ditë më parë, në SHBA, diskutuam për vizionin e përbashkët për mbrojtjen e Evropës. Sot, ky vizion po zbatohet në terren, në tokën tonë, përmes Defender Europe ’25 – një ushtrim i përmasave të jashtëzakonshme që dëshmon përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë. Rreth 1000 pjesëtarë të FSK-së janë të angazhuar drejtpërdrejt – profesionistë të barabartë me aleatët nga vendet më të fuqishme të botës. Ky është një mesazh i qartë: Kosova jo vetëm që kontribuon, por është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s”, ka shkruar Osmani.