Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Riga të Letonisë, ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të qenë një aleate e besueshme në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të sigurisë globale.

Në një status në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se ka vizituar Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), ku ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe komunikimit strategjik – si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Dje, në Riga, vizitova Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik – një institucion kyç në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe në mbrojtje të integritetit të informacionit,” ka shkruar ajo, duke shtuar se “Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike.”

Gjatë qëndrimit në Letoni, Osmani mori pjesë edhe në një diskutim në Shtëpinë e Evropës me gra lidere dhe aktiviste letoneze, ku ndau përvojën e Kosovës në kalimin nga lufta drejt ndërtimit të një shteti demokratik me gratë në qendër të proceseve vendimmarrëse dhe të sigurisë.

Vizitën e saj, presidentja e përmbylli në Muzeun e Okupimit të Letonisë, duke e cilësuar si një moment reflektimi të thellë për historinë e qëndresës ndaj pushtimit dhe padrejtësisë.

“Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt,” ka përfunduar Osmani.