Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre pas tërmetit të rëndë në Afganistan.

Nga llogaria e saj në platformën “X”, Osmani u ka uruar shërim të shpejt të gjithë të lënduarve.

“Shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre si pasojë e tërmetit shkatërrues në Afganistan, një tragjedi që ka marrë mijëra jetë. I urojmë shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve dhe forcë për popullin e Afganistanit”, shkroi Osmani.

We express our heartfelt condolences to families who have lost their loved ones in the aftermath of the devastating earthquake in Afghanistan, a tragedy that has taken thousands of lives.

We wish a swift recovery to all those injured and strength to the people of Afghanistan.

— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) October 8, 2023


Kjo po konsiderohet si fatkeqësia më e madhe natyrore që ka goditur Afganistanin në vitet e fundit.

Numri i viktimave pas tërmetit prej 6.3 shkallësh mbetet i paqartë, pasi ka vlerësime të ndryshme.

Në orët e vona të 7 tetorit, Kombet e Bashkuara thanë se sipas vlerësimeve paraprake, 320 persona kanë vdekur. Por, më pas thanë se numri i viktimave është ende duke u verifikuar.

Afganistani shpesh goditet nga tërmetet, veçmas në vargmalin e Hindu Kushit, që gjendet afër pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.

Në qershor të vitit të kaluar, mbi 1.000 persona u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë pasi një tërmet prej 5.99 shkallësh goditi provincën Paktika. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Afganistanin në pothuajse çerekshekulli.

Në mars të këtij viti, 13 persona u vranë në Afganistan dhe Pakistan, pas tërmetit prej 6.5 ballësh që kishte epiqendrën në Jurm, në verilindje të Afganistanit.

Afganistani veçse po përballet me krizë humanitare, për shkak të ndalimit të ndihmës së huaj pas rikthimit të talibanëve në pushtet më 2021.