Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur vizitën e saj të parë shtetërore në Zvicër, e cila po zhvillohet në rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës.
Me këtë rast, ajo është pritur nga Presidentja zvicerane, Karin Keller-Sutter.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mikpritjen dhe nderin që i është bërë, duke e cilësuar këtë vizitë si një dëshmi të marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“Faleminderit për mikpritjen, miqësinë dhe nderimin, Presidente Keller-Sutter!
Kjo vizitë e parë shtetërore në Zvicër që po fillon në rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës është dëshmi se bashkë po shkruajmë kapitullin e ri të historisë së partneritetit midis shteteve dhe popujve tanë!”, ka shkruar Osmani në Facebook.