Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aksidentit tragjik hekurudhor në Baden-Württemberg të Gjermanisë, ku një tren doli nga shinat, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Përmes një postimi në platformën X, Osmani ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.

“U shpreh ngushëllimet tona të sinqerta familjeve që humbën të dashurit e tyre në aksidentin tragjik hekurudhor në Baden-Württemberg dhe u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë të gjithë të lënduarve. Në këtë kohë të vështirë, populli i Republikës së Kosovës qëndron në solidaritet të plotë me miqtë tanë në Gjermani”, ka shkruar Osmani.

Sipas informacioneve fillestare, rreth 100 pasagjerë ndodheshin në tren kur të paktën dy vagonë dolën nga shinat.

Mediat gjermane raportojnë se në atë kohë zona ishte përfshirë nga një stuhi e fuqishme, që mund të ketë ndikuar në aksident.

Në pamjet nga vendngjarja shihen vagonë të përmbysur dhe drurë të rrëzuar përreth.