Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me senatorin amerikan, Jack Reed, ka thënë se Kosova është një histori suksesi e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit.

“ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon sesa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më proamerikan në Evropë dhe në botë”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.

Përveç kësaj, e para e vendit ka potencuar se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, sikurse në Këshillin e Evropës dhe në BE.

”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprin anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Osmani.

Ndërkaq, në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë, Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, porse ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.

Ajo, po ashtu, ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve.

Sipas saj, “këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura”.

Tutje, e para e vendit ka falënderuar senatorin Jack Reed për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

Ndryshe, të martën e tetë gushtit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të Kongresit amerikan, i cili kryesohet nga senatori Jack Reed.