Presidentja Vjosa Osmani pas takimit me dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka theksuar se Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Ajo ka shprehur shqetësimin për masat e Bashkimit Evropian, të cilat, sipas saj, po dëmtojnë balancën e nevojshme në dialogun me Serbinë.

“Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci dhe sundim të ligjit. Prandaj, mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balancën e nevojshme në dialog”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Gjatë takimit, Osmani ka thënë se me Sorensenin diskutuan për mundësitë e lehtësimit të dialogut Kosovë-Serbi, për sigurinë në rajon dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.