“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës”.

Kështu ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, të cilin e ka quajtur gjeniu shqiptar.

“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë. Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet”, ka shkruar Osmani, në rrjetin social Facebook.

Osmani ka theksuar se me dashurinë që ka shprehur kudo në veprat e tij, ai ia ka paraqitur botës vlerat e popullit të tij, duke promovuar gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar dhe të Kosovës për të jetuar të lirë dhe të pavarur.