Osmani pas votimit: Qytetarët me votën e tyre do ta nxjerrin Kosovën nga krizat

Ish-Presidentja e Kosovës dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka votuar të dielën në Shkollën “Shkëndija” në Hajvali, së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.

Pas votimit, Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më masivisht në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e vendit dhe krijimin e institucioneve të reja.

“Uroj për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës një proces zgjedhor të rregullt, një proces zgjedhor që i kontribuon demokracisë në vendin tonë, që i kontribuon edhe krijimit të institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të dalë nga krizat e njëpasnjëshme”, deklaroi Osmani.

Ajo tha se formimi i institucioneve të reja është në interes të qytetarëve dhe do të ndikojë në forcimin e shtetit.

“Kjo është në interes të vendit tonë, është në interes të qytetarëve tanë dhe do ta forcojë Kosovën edhe përbrenda edhe jashtë kufijve të saj. Shpresoj shumë që sa më shumë qytetarë tanë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike në mënyrë që të dëgjohet zëri i tyre në këtë proces kaq të rëndësishëm e kaq jetik për vendin tonë”, u shpreh ajo.

Osmani shprehu mirënjohje edhe për institucionet dhe mediat që janë të angazhuara gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që përgjatë tërë ditës sot do të jenë në terren, duke filluar nga institucionet e sigurisë deri tek ato të drejtësisë. Natyrisht, falënderoj edhe mediat që do të punojnë gjatë gjithë ditës për ta përcjellë procesin dhe rezultatet”, tha ajo.

Presidentja falënderoi gjithashtu qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në proceset demokratike.

“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë qenë pjesëmarrës gjatë këtij procesi, duke i dhënë hijeshi demokracisë dhe duke i dhënë sharm demokracisë. Shpresoj që edhe sot sa më shumë prej tyre do ta shfrytëzojnë të drejtën e votës”, deklaroi Osmani.

E pyetur nëse këto zgjedhje do të ndihmojnë në tejkalimin e ngërçit institucional, ajo u shpreh optimiste se vota e qytetarëve do të krijojë rrugën për formimin e shpejtë të institucioneve.

“Unë jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt krijimit të shpejtë të institucioneve dhe do të dalim nga krizat e njëpasnjëshme të cilat e kanë dëmtuar vendin tonë, si përbrenda ashtu edhe jashtë kufijve tanë”, tha ajo.

Në fund, Osmani shprehu besimin se dita e zgjedhjeve do të jetë një ditë pozitive për Kosovën.

“Kam optimizëm të madh që sot vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza. Shpresoj që sot do të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova do të fitojë, dita kur Kosova do të festojë”, përfundoi Osmani.

Ndryshe, Qytetarët e Kosovës po votojnë këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje po mbahen pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë. Për qytetarët, kjo është hera e tretë brenda më pak se një viti e gjysmë që u drejtohen kutive të votimit për zgjedhje parlamentare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të shtunën shpërndarjen e materialit zgjedhor në të gjitha komunat e vendit. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, ndërsa materialet janë dërguar fillimisht nga qendra logjistike në Fushë-Kosovë drejt 38 komunave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se janë shpërndarë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, përfshirë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat.

Për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 janë fletëvotime rezervë, ndërsa 3 mijë e 500 janë destinuar për personat me nevoja të veçanta.

Në mbarë Kosovën janë hapur 949 qendra votimi me gjithsej 2.550 vendvotime, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Kuvendin e Kosovës.

Të fundit nga rubrika