Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se një Kosovë e tërë vajton pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë në oborrin e QKUK-së, të mërkurën.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se nuk ka më arsyetime lidhur me sprovën e shoqërisë për të cilën thotë se nuk është vetëm e shtetit.

“Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë! Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë”, thotë Osmani.

Sipas Osmanit, kryerësi i veprës është një që nuk mund të cilësohet burrë.

“Një tjetër krim makabër e çnjerëzor.  Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës. Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal”, ka deklaruar Osmani.

Gruaja shtatzënë e cila ka humbur jetën, është qëlluar me armë zjarri nga një person i cili dyshohet se është burri i saj. Kështu ka bërë të ditur një anëtar i stafit të QKUK-së për Radio Dukagjini.

Jetën e kanë humbur edhe gruaja edhe fëmija, dyshohet se vdekja e tyre ka qenë e menjëhershme.