Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar për aneksimin e tokave ukrainase nga Rusia. Osmani përmes një postimi është shprehur se përdorimi i forcës nga rusët është një shkelje e plotë e ligjit ndërkombëtar

“Grabitja e paligjshme e tokës nga Putini i territorit bazuar në “referendume” të rreme dhe përdorimi i forcës është një shkelje e plotë e ligjit ndërkombëtar”, është shprehur Osmani në Twitter.

Tutje Osmani është shprehur se “Rusia dhe përfaqësuesit e saj janë kërcënimi më i madh për paqen dhe duhet të ndalohen dhe të sanksionohen më tej”.

Osmani ka shprehur mbështetje për Ukrainën nga Kosova dhe aleatët demokratikë duke shtuar se do të “qëndrojnë gjithmonë me Ukrainën”.

Ndërsa, presidenti rus, Vladimir Putin në fjalim e tij të mbajtur këtë të premte ka thënë se njerëzit e katër rajoneve të Ukrainës që ai po planifikon të aneksojë kanë marrë vendimin e tyre. “Rezultatet dihen, dihen mirë”, thotë ai. “Njerëzit bënë zgjedhjen e tyre – e vetmja zgjedhje.”

“Jam i sigurt se Asambleja Federale do të mbështesë katër rajonet e reja të Rusisë, katër subjekte të reja të Federatës Ruse… sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, thotë Putini nën duartrokitje të mëdha.

Ai vazhdon duke thënë se rezultatet janë “e drejta e natyrshme” e atyre që votuan.