Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e tre serbëve, të cilët po shërbenin në kuadër të Policisë së Kosovës.

Përmes platformës X, Osmani ka thënë se dorëheqjet pasojnë si rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve nga Serbia.

“Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia – një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Osmani.

The resignation of police officers of the Serb community is a direct result of ongoing threats and intimidation from Serbia –an evidence that its policies continue to mirror Milosevic tactics.

We will continue to ensure inclusivity across all institutions and a safer 🇽🇰 for all.

— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) August 17, 2023

Gjithashtu, edhe faktori ndërkombëtar ka reguar në lidhje me këto dorëheqje.

Kështu, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në rrjetin social “X” tha se një vend multietnik siç është Kosova, duhet të ketë një polici multientike që do t’i kryente detyrat pa u frikësuar nga askush.

“Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikësime”, tha ai.

Për dorëheqjen e tre policëve të rinj serbë ka reaguar edhe ambasadori i ShbA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social X, ka shkruar se është duke i ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit.

Sipas tij, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikësime.